MONUMENTALITETI I PËRDITSHMERISË
JAKUP
FERRI
Republika e Kosovës merr pjesë për herë të pestë në Ekspozitën e 59-të Ndërkombëtare të Artit – Bienalen e Venedikut me një ekspozitë personale të Jakup Ferrit, e cila do të hapet më 23 prill 2022 dhe do të zgjasë deri më 27 nëntor 2022.
Pavijoni i Kosovës do të kurohet nga Inke Arns, drejtoreshë e HMKV Hartware MedienKunstVerein në Dortmund të Gjermanisë (www.hmkv.de) dhe prezantimi do të bëhet në Arsenale.
Në Bienalen e 59-të të Artit 2022, Jakup Ferri i prezanton pikturat, qëndisjet dhe qilimat në një instalacion të madh specifik për lokacionin të titulluar Monumentaliteti i Përditshmërisë. Shumë prej vizatimeve të Ferrit, në të cilat janë të vendosura qëndisjet dhe pikturat, tregojnë skena të përditshmërisë që përfshijnë kafshë, fëmijë, akrobatë, muzikantë dhe aktivitete sportive (si noti, zhytja, çiklizmi). Dhe pastaj është ky aspektI i gjuhës popullore që kthehet në surrealitet, ose magji, si kafshët që flasin ose bëjnë muzikë, njerëzit që kthehen në zogj, njerëzit që bëjnë muzikë për kafshët apo edhe bëhen kafshë ose krijesa hibride.Shumë shpesh ka ndërlidhje poetike ndërmjet njerëzve, kafshëve dhe objekteve, të cilët e shikojnë njëri tjetrin dhe kështu krijojnë vija të shikimit – si dialogje të heshtura – duke sugjeruar mënyra të reja potenciale të bashkëpunimit dhe komunikimit.
Punimet e Ferrit janë frymëzuar nga vizatimet e fëmijëve, arti popullor dhe i ashtuquajturi art i jashtëm. Shohim skena intime nga përditshmëria, me protagonistë të lumtur, kryesisht me ngjyra të ndezura. Kohët e fundit, Ferri u interesua edhe për tema si lëvizshmëria dhe arkitektura utopike nga vitet 1960, si Archigram’s Walking City.
Fillimisht duke punuar me vizatime, rreth dhjetë vjet më parë artisti filloi t’i kthente këto vizatime në media të ndryshme: piktura, qëndisje dhe qilima. Për punimet e tekstilit ka gjetur bashkëpunëtorë të mrekullueshëm: gra nga Shqipëria, Kosova, Burkina Faso, Surinami, me të cilat artisti ka realizuar qilima dhe qëndisje në teknika tradicionale si kryq, tentene, qëndisje me dorë, goblen etj.
Tapiseritë e punuar me dorë nga seria e punimeve “Tintirinti” (2021) janë rezultat i një bashkëpunimi të ngushtë mes artistit dhe djalit të tij Jip. Shumë ndryshe nga pikturat e detajuara dhe qëndisjet, ato tregojnë modele grafike në shkallë të gjerë. Frymëzuar nga lojërat kompjuterike dhe estetika 8-bit, ato përbëhen nga fusha të gjera ngjyrash të kundërta. Në fakt, ato bazohen në modelet e avatarit të Jip – koka ose bluza – në lojën Animal Crossing.
Pavijoni i Kosovës në Bienalen e Artit 2022 është komisionuar nga Alisa Gojani Berisha, kuratore në Muzeun Kombëtar të Kosovës.